Rinumërimi i votave të pavlefshme, Rama i VV-së akuzon LDK-në për manipulime

Rinumërimi i votave të pavlefshme, Rama i VV-së akuzon LDK-në për manipulime

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje!, Alim Rama, ka dalë me akuza të forta ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se rinumërimi i fletëvotimeve me postë të shpallura të pavlefshme nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nxjerrë në pah manipulime të qëllimshme nga kjo parti.

Sipas Ramës, rezultatet e rinumërimit të 1631 fletëvotimeve tregojnë se LDK-ja ka përfituar dukshëm më pak nga sa pritej, duke ngritur dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.

Nga 1046 fletëvotime të rinumëruara, ku 585 u konfirmuan sërish si të pavlefshme, LDK-ja siguroi vetëm 104 vota, ose 10% të totalit, duke u renditur e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Rama theksoi se ky rezultat përputhet me trendin e votimit brenda Kosovës, por nxjerr në pah atë që ai e quan “manipulim të qartë” të votave me postë. Sipas tij, një kandidat i LDK-së, i cili kishte përfituar 12,000 vota me postë të dyshuara si të manipuluara, mori vetëm 9 vota nga fletëvotimet e rinumëruara, çka përbën 9% të votave të partisë së tij në këtë proces.

Rama e cilësoi rinumërimin, i cili u krye pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje!, si dëshmi të një “realiteti shqetësues” në sistemin zgjedhor të Kosovës. “Lehtësia me të cilën shpallet i pavlefshëm vullneti i votuesve, pavarësisht partisë që ata mbështesin, tregon se manipulimet e tilla po pengojnë përparimin e Republikës së Kosovës,” u shpreh ai. Ai shtoi se këto veprime minojnë standardet e larta të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të cilat, sipas tij, kanë qenë karakteristikë e vendit deri më tani.

Related Articles