Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ende s’kanë ndonjë informatë zyrtare nga institucionet e drejtësisë lidhur me bastisjen e djeshme në KEK dhe arrestimin e Kryeshefit Nagip Krasniqi.
Rizvanolli ka thënë se do të presin “faktet dhe informacionet”, para se të deklarohen.
“Në lidhje me rastin e bastisjes të djeshme, ne si Ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare. Do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë, para se të shprehemi. Dhe gjithashtu do të jemi në kontakt me Bordin në lidhje me zhvillimet atje”, ka thënë Rizvanolli në Kuvendin e Kosovës.
“Uroj që dyshimet ndaj Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqi, uroj që eficienca e Prokurorisë në rastin e dyshimeve ndaj Nagip Krasniqit, të jetë e njëjtë edhe për rastet e tjera të cilat janë raportuar”, ka shtuar Rizvanolli.
Prokuroria Speciale ka njoftuar dje se është arrestuar Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
“Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.