Rrahja brutale e nxënësve në Prishtinë, arrestohen dy persona – të tjerët në kërkim

Rrahja brutale e nxënësve në Prishtinë, arrestohen dy persona – të tjerët në kërkim

Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar për rastin e përleshjes fizike ndërmjet disa nxënësve në lagjen “Dardania” në Prishtinë, raporton Gazeta Enigma.

Përmes një njoftimi për media, policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

“Policia e Kosovës, lidhur me incidentin e ndodhur ditë më parë në rrugën “Zija Shemsiu” të lagjes “Dardania” të Prishtinës ku ishin përfshirë disa nxënës, pas veprimeve operative hetimore ka identifikuar dhe njëherit arrestuar dy persona të dyshuar, ndaj të cilëve gjyqtari i procedurës paraprake iu ka vazhduar masën e paraburgimit prej 30 ditëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje është bërë e ditur se po kryhen hetime për të identifikuar edhe personat tjerë të përfshirë në këtë rast.

“Në incidentin i cili kishte ndodhur jashtë objektit dhe hapësirave shkollore, njëri prej nxënësve kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, përderisa Policia e Kosovës është duke vazhduar hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të përfshirë në rast”, bën të ditur PK.

“Policia e Kosovës lidhur me këtë rast por edhe rasteve tjera të cilat kryesisht kanë ndodhur jashtë objekteve dhe hapësirave shkollore, e të cilat nuk janë ndërlidhur me procesin mësimor apo me sigurinë në shkolla, ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmerr veprime konkrete përmes planit operativ “ Siguria në Shkolla”, njofton policia.

Sipas policisë, përmes këtij plani Policia e Kosovës synon parandalimin e incidenteve në shkolla dhe për rreth tyre si dhe ngritjen e mëtejme të sigurisë së përgjithshme përfshirë sigurinë në shkolla dhe rreth tyre.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë angazhuar edhe njësi patrulluese me rroba civile, të cilët zhvillojnë takime me drejtorë të shkollave e instanca të tjera, për të parandaluar dukuritë negative nëpër shkolla.

“Përveç planeve operative që janë në vijueshmëri, policia ka angazhuar edhe njësi patrulluese me rroba civile, zyrtarë sektorial dhe zyrtarë policor të njësisë së komunitetit, të cilët organizojnë takime me drejtori të arsimit komunale, drejtori të shkollave, kujdestarë të shkollave, me këshille komunale për siguri në bashkësi, me këshille lokale për siguri publike me këshille të prindërve si dhe në vazhdimësi mbajnë ligjërata të ndryshme në mënyrë që të sensibilizojnë nxënësit dhe të parandalohen dukuritë e tilla negative”, bën të ditur policia./Gazeta Enigma/

Related Articles