Rrahje mes nxënësve në Deçan, theret me thikë një 16-vjeçar

Rrahje mes nxënësve në Deçan, theret me thikë një 16-vjeçar

Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Nxënësit shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave.

Një përleshje fizike ka ndodhur edhe dje në mesditë në rrugën ‘Haki Povataj’ në Deçan ku disa nxënës janë rrahur mes vete dhe si pasojë njëri nga ta ka mbetur i therur me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan kanë bërë me dije se atje janë dërguar tre të mitur për ndihmë mjekësore dhe njëri nga ta kishte plagë të shkaktuara nga goditja me thikë.

Për shkak të natyrës së lëndimeve, 16-vjeçari është transferuar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen është njoftuar edhe Policia e Kosovës, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Tre të dyshuarit fillimisht ishin arratisur nga vendi i ngjarjes, por më pas dy nga ta janë intervistuar në stacion policor.

Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së personit të dyshuar, i cili dyshohet se ka therur me thikë të miturin.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari tjetër.

Related Articles