Sharjet, ofendimet dhe përjashtimet nga shoqëria janë disa forma se si bullizohen fëmijët në shkolla.
Pre e bullizmit ishte edhe një 10 vjeçar nga Prishtina. Nëna e tij për RTV Dukagjinin ka treguar situatën me të cilën ka kaluar fëmija i saj.
Ajo thotë se për shkak të bullizmit është detyruar ta largoj djalin nga ajo shkollë pasi nuk gjeti përkrahje as nga mësuesja.
“Në shkollën ku mësoi djali im ka shumë nxënës dhe jo të gjithë kanë mundësinë të vishen mirë dhe të bëjnë një jetë normale. Gjithmonë janë gjykuar nga veshja apo nga ajo që nuk e ki njërin prind. Pra në një far forme djalin nuk e kanë lënë të futet në grup dhe ka mbetur i vetëm. Gjithmonë djali është ankuar në shtëpi. “Unë nuk kam shokë në shkollë. Nuk po më ofrojnë nxënësit”, e ankesa të tjera deri në atë masë sa nuk e kanë përfshi kur kanë luajtur futboll në shkollë. Djali ka qenë shumë keq. Madje shkolla as trajtim psikologjik nuk i ka ofrua”, rrëfen ajo.
Nëna nuk është e kënaqur as me sjelljen e mësueses sipas së cilës mësuesja nuk ka kuptuar hallet e nxënësit të saj.
“Djali është vonuar në shkollë për shkak të një trajtimi shëndetësorë dhe mësuesja në sy të gjithë nxënësve e ka nënçmuar për shkak të vonesë. Ka ndodhur kur mësuesja i ka thënë djalit pse ke ardhë në shkollë me këtë veshje, pasi ka ndodh që fëmija im nuk ka mbathur ndoshta patika adekuate. Çdo nënë ka dëshirë të vesh fëmijën e saj bukur, por jo të gjithë e kemi atë luks”, rrëfen më tej nëna e nxënësit të bullizuar.
Ndërsa një nënë nga Mitrovica thotë se dhuna në familje që ka përjetuar ajo dhe dy fëmijët e saj 9 dhe 11 vjeç ka ndikuar që ata të bullizohen edhe në shkollë.
“Fëmijët e mi janë përndjekur, fotografuar e tallur nga të tjerët në shkollë. Fëmijët e mi nuk kishin më dëshirë të shkonin në shkollë. Nxënëset tjerë u bazonin në fjalët që ua thoshin hallat e tyre për fëmijët e mi. Tani fëmijët tjerë i ofendonin të mitë duke iu thënë “ngelça” e terma të tjerë ofendues. Për shkak të talljes edhe para mësueses fëmijët nuk arrinin të përgjigjeshin por vetëm qanin. Thoshin “po qeshin të tjerët” edhe s’po mundim”.
Për shkak të këtyre problemeve kjo nënë thotë se djali i saj për shkak të talljeve e ka kapur për fyti një tjetër nxënëse. Ajo thotë se për shkak të këtyre situatave është detyruar t’i largojë fëmijët në një shkollë tjetër, shkruan telegrafi.