Rrëfimi i ish-ushtarit që shërbeu në Kosovë dhe shtiu tri herë në fytyrën e Bin Ladenit

Rrëfimi i ish-ushtarit që shërbeu në Kosovë dhe shtiu tri herë në fytyrën e Bin Ladenit

Robert O’Neill, ushtari amerikan që vrau Osama Bin Ladenin, shefin e rrjetit terrorist të al-Qaida-s kishte shërbyer në Kosovë.

Ai në një intervistë për mediumin zviceran Tages Anzeiger ka treguar se kur ishte ftuar për të marrë pjesë në aksion për ta vrarë Bin Ladenin, ishte me një trajnim në Gjermani, pasi kishte përfunduar mision në Kosovë.

“Kam qenë në Stuttgart. Në Navy Seals (ushtarët elitarë) sapo e kishim përfunduar angazhimin në Kosovë dhe tani trajnonim bashkë me njësi speciale të vendeve aleate”.

O’Neill, ka folur edhe për momentin e vrasjes së Bin Ladenit, duke treguar se me kënd ishte i fshehur ish terroristi më i kërkuar në botë.

“Kur kam shtënë ndaj tij, ai ende ishte në këmbë. Duart i mbante mbi supet e Amal bin Ladenit, gruas më të re të tij prej katër bashkëshorteve që kishte, dhe ai paraqiste kërcënim për ne”, ka thënë O’Neill.

“Ishte gjallë, qëndronte në këmbë dhe paraqiste rrezik. Atëherë unë kam shtënë tri herë ndaj tij. Në fytyrë”.

Ish-ushtari amerikan thekson se ishte e pa mundur që mos vritej Bin Ladeni.

“Ai kishte më pak se një sekondë për të na bindur që të mos e vrisnim. Nëse ai do të kishte ngritur duart dhe këmishën dhe pa jelek eksploziv poshtë, do ta kishim arrestuar”, ka potencuar ai.

Robert O’Neill

Më 11 shtator 2001, e gjithë bota do të tronditej nga një sulm terrorist që goditi zemrën e SHBA-ve – World Trade Center.

Me autorësinë e marrë nga Osama bin Laden, kreu i al-Qaeda-s, amerikanët do të nisnin një mësymje në Afganistan, e cila do të zgjaste 20 vjet.

Të shtunën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, në ditën përkujtimore të sulmeve të 11 shtatorit, ka kërkuar bashkim.

Në një video të publikuar në mediat sociale ai kujtoi 2 mijë e 977 njerëzit që humbën jetën.

“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën”, u shpreh Biden në fjalimin e tij.

Presidenti amerikan pranoi se sulmi ndryshoi shumë gjëra, duke sjellë kështu frikë zemërim dhe pakënaqësi ndaj myslimanëve amerikanë.

“Por”, theksoi Biden, “unitetit është forca më e madhe e SHBA-ve”.

Sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Në sulmin e 11 Shtatorit humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në mesin e viktimave ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Shumica prej viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.

Related Articles