Rreth 150 punëtorë të Telekomit marrin paga pa shkuar fare në punë

Rreth 150 punëtorë të Telekomit marrin paga pa shkuar fare në punë

Rreth 150 punëtorë të Telekomit të Kosovës marrin paga pa shkuar fare në punë, ndonëse shoqëria civile po kërkon hetim nga prokuroria e shtetit për këtë dukuri korruptive.

Mësohet se shumica prej këtyre punëtorëve për një kohë të gjatë madje gjenden edhe jashtë shtetit, dhe paguhen nga Telekomi.

Burime të KosovaPress thonë se të punësuarit në fjalë janë familjarë dhe të afërm të politikanëve, të ish-deputetëve, ish-ministrave dhe të tjerë të afërm me ndikim nga disa subjekte politike.

“Një numër i madh, prej rreth 150 njerëzish, vazhdojnë ta dëmtojnë buxhetin e Telekomit, duke marrë paga për çdo muaj nga kjo kompani publike, ani pse nuk punojnë në këtë ndërmarrje dhe nuk gjenden as edhe në Kosovë. Këta njerëz janë të afërt me ish-deputet, ish-ministra dhe të afërt të anëtarëve me ndikim në subjektet politike”, thotë një burim për KP-në.

Në anën tjetër zyrtarë të menaxhmentit të Telekomit theksuan për KosovaPress se ka pasur sinjalizime për keqpërdorime të mundshme të kësaj natyre, por me një afat optimal menaxhmenti i ri në Telekom do të merret me prioritet me këtë çështje dhe do të marrë masat e nevojshme në të gjitha rastet.

“Duke qenë se nuk ka pasur sinjalizime nga departamentet, të cilat janë përgjegjëse për evidentimin e prezencës në punë, por duke pranuar se ka pasur sinjalizime nga kanale të tjera për keqpërdorime të mundshme të kësaj natyre, në një afat optimal menaxhmenti (i ri) do të merret me prioritet me këtë çështje dhe do të marrë masat e nevojshme në të gjitha rastet, kur gjejmë fakte për shkelje të kësaj natyre, për të cilat po interesoheni ju”, thotë në një përgjigje me shkrim Fadil Lepaja nga Departamenti për Relacione me Publikun në Telekomin e Kosovës.

Për këto pretendime se deri ku kanë shkuar hetimet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Policia e Kosovës nuk është përgjigjur për KosovaPress, transmeton Gazeta Enigma.

Related Articles