1 milion e 360 mijë e 97 analiza laboratorike për 295 mijë e 786 pacientë, janë kryer në Klinikën e Biokimisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë periudhës janar-shtator.
Për 9 muaj, Klinika e Biokimisë ka ofruar më shumë shërbime laboratorike sesa që kishte ofruar gjatë tërë vitit të kaluar.
Drejtori i kësaj Klinike, Shemsi Veseli, ka thënë se synojnë që këtë shifër ta kalojnë, duke parë edhe trendin e pacientëve që kërkojnë shërbime në këtë klinikë.
“Është njëra ndër klinikat që është në shërbim të të gjitha klinikave tjera, dhe këtu bëhet një punë shumë e madhe, sepse jo vetëm gjatë valës së pandemisë, bëhet brenda ditës në këtë periudhë, deri 3500-4000 analiza, kur të na shtohen edhe hemodializa që e kemi brenda muajit në protokoll për t’i kryer, atëherë shkon mbi 6 mijë analiza”.
“Gjatë ditës së djeshme i kemi kryer 5500 analiza që janë kryer për 24 orë. Në total për këtë 9 mujorin që i kemi kryer në Klinikën e Biokimisë e tejkalon komplet vitin 2020, e që është mbi 1 milion e 360 mijë analiza që janë kryer për nëntë muaj. Nëse vazhdon ky trent sepse nganjëherë po varet nga furnizimi dhe kontratat, atëherë jam i bindur se do ta kalojmë këtë shifër”, u shpreh ai.
Punë të madhe thotë se po bëjnë mjekët specialist dhe teknikët e laboratorit. Për këta të fundit, Veseli thotë se kanë ende nevojë, pasi synojnë shtimin e kapaciteteve të reja.
Tutje ai ka thënë se brenda 24 orëve në pikun e pandemisë i kanë kryer mbi 10 mijë analiza.
“Sa i përket mjekëve specialistë, kemi mjaftueshëm mjekë por që kemi pak nevojë për teknik të laboratorit, sepse në vizionin tonë e kemi shtimin e kapaciteteve të reja. Përndryshe është vullneti shumë i madh. Kur ka qenë koha e pandemisë në fazën kulminante, më kujtohet që brenda 24 orëve i kemi kryer 10 mijë analiza i kemi kryer, dhe normalisht se këtu ka qenë vullneti i çeliktë i kolegëve”.
“Meqenëse nuk e kemi sistemin shëndetësor kur kish me qenë barkodi ku edhe neve do të na lehtësonte shumë punën, për arsye se nuk do të kishte rrezik për t’u përzier, ndonëse rrallë ndodh por që e hetojmë menjëherë”, u shpreh ai.
Teksa ka folur për shërbimet që kryen në këtë klinikë, Veseli vë në pah mundësinë që të investohet edhe më shumë në shëndetësi.
Ai thotë se 120 milionë euro harxhojnë qytetarët jashtë Kosovës për mjekim, teksa shton se nëse këto mjete do tw investoheshin në Kosovë, gjendja do të ishte më mirë.