Rreth 300 zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Rreth 300 zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Rreth 300 zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Afati për dorëzimin fizik ka përfunduar në orën 16:00, derisa ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë kanë kohë deri në mesnatë që ta bëjnë online.

Por ky numër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, përfshin edhe zyrtarët të cilët mund ta kenë deklaruar pasurinë, por që aplikacioni i tyre nuk është hapur e evidentuar ende.

Në ditën e fundit të aplikimit, këtë të enjte, Agjencia Kundër Korrupsionit ua ka rikujtuar zyrtarëve publikë se mosdeklarimi i pasurisë paraqet vepër penale.

“Zyrtarët publikë duhet ta deklarojnë gjendjen e pasurisë së tyre dhe të anëtarëve të familjes, informatat rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: paluajtshmëria, pasuri e luajtshme në vlerë mbi tremijë (3 000) euro, zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare, letra me vlerë, para të kursyera në bankë dhe në institucione të tjera financiare, detyrime financiare ndaj personave fizikë dhe juridikë dhe të hyrat vjetore, të realizuara brenda apo jashtë vendit”, thuhet në komunikatën e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se me ligjin e ri për deklarimin e pasurisë, e i cili është ende në procedurë, ka risi në vlerësimin e vlerës së pasurive të paluajtshme.

“Vlera e pasurisë së paluajtshme, shtëpive, do të jetë vlerë e cila tatimohet për tatim në pronë. Do të thotë, nëse një shtëpi e caktuar, një fshat i caktuar sipas ligjit për tatimin në pronë e ka vlerën 10 mijë euro ai duhet të ceket njëjtë”, tha Buleshkaj për KTV.

Zyrtarët publikë kanë pasur kohë që nga 1 marsi për deklarimin e pasurisë së tyre, derisa afati ligjor për një gjë të tillë përmbyllet të enjten, më 31 mars.

Related Articles