Rreth 35 mijë vdekje shtesë nga i nxehti në Europë, më të goditurat Gjermania, Franca e Spanja

Rreth 35 mijë vdekje shtesë nga i nxehti në Europë, më të goditurat Gjermania, Franca e Spanja

35,000 vdekje shtesë janë regjistruar nga valët e njëpasnjëshme të të nxehtit në Europë.

Të dhënat nga pjesa dërrmuese e kontinentit të vjetër tregojnë se vetëm në tre shtetet më të mëdha- Gjermani, Spanjë dhe Francë- vdekjet shtesë kapërcyen 25 mijë personat. Ekspertët thonë se numri i viktimave do të rritet ndjeshëm pasi të përpunohen dhe konsolidohen shifrat për muajin gusht.

Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit që kanë përfshirë Evropën Perëndimore që nga maji thyen rekordet historike të temperaturave në qindra stacione meteorologjike, ndërsa Franca shënoi ditën me temperaturën mesatare kombëtare më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Rekorde temperaturash u thyen për tri ditë radhazi në Gjermani në fund të qershorit, kur 46 stacione meteorologjike regjistruan temperatura mbi 40°C, ndërsa Spanja përjetoi temperatura të larta të vazhdueshme mbi 42°C.

Shkencëtarët thonë se ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën këto ngjarje ekstreme më të shpeshta dhe më intensive. Më herët, edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dha alarmin për afrimin e Super El Niños. “Po merr përmasa gjigante. Shkenca nuk lë vend për dyshime: planeti po hyn në territory të pashkelur ndonjëherë më parë.

Temperaturat vazhdojnë të rriten dhe bota ndodhet në zonën e rrezikut për shkak të kushteve ekstreme të motit”, deklaroi ai. Organizata Botërore Meteorologjike vlerëson se ky fenomen klimatik ciklik, i cili nis me ngrohjen e ujërave sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor ekuatorial, përballë brigjeve të Amerikës së Jugut, ndikon më pas në mënyra të ndryshme te klima në pjesën më të madhe të botës, shkruan Tch.

Sipas WMO-së, fenomeni pritet të jetë shumë intensiv dhe, me një probabilitet që i afrohet 100 për qind, do të vazhdojë deri në muajin shkurt.

Related Articles