Rreth 43 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në 2021, më së shumti nga Gjilani

Rreth 43 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në 2021, më së shumti nga Gjilani

Emigrimi i qytetarëve për në shtetet perëndimore, vit pas viti po vazhdon të rritet. Vetëm gjatë vitit 2021 janë larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë.



Derisa rritje të madhe të migrimit ka shënuar komuna e Gjilanit me 4 mijë e 320 qytetarë, të cilët kanë ‘braktisur’ vendin. Tetë komunat më të prekura nga migrimi janë: Gjilani, Prizreni, Prishtina, Vushtrria, Suhareka, Malisheva, Gjakova dhe Podujeva, raporton KosovaPress.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vlerësimin e popullsisë për vitin 2021, thuhet se pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal.

“Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona dhe kanë emigruar 42 mijë e 728 persona”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).

Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1 milion e 773 mijë e 971 banorë rezidentë.

Related Articles