Rreth 900 foshnje të lindura para kohe vitin e kaluar në Kosovë

Rreth 900 foshnje të lindura para kohe vitin e kaluar në Kosovë

Gjithsej 794 foshnje kanë lindur para kohe vitin e kaluar në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të QKUK-së, ndërsa 62 në të gjitha spitalet rajonale në Kosovë.

Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrie Ismaili, deklaroi për emisionin SOT në KTV të martën se çdo foshnje që lind para javës së 37-të konsiderohet e lindur para kohe ose para moshës së barrës, e për fenomen ajo tha se ka trajtim të veçantë.

Sipas Ismailit, foshnjat që lindin nga java e 22-të deri në 37-n bëjnë betejë të madhe për jetën, por kur lindjet bëhen para këtyre javëve, problemet janë ende më të mëdha.

“Në rastin sikurse lindin në javën e 26-të, sfidat janë më të mëdha, qëndrimet në klinikë më mëdha dhe mundësia për komplikim është më e madhe. Për 2022-n, i kemi pasur 865 foshnje të lindura para kohe. Marrë parasysh ato që kanë lindur në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike janë 794, ndërsa të referuara nga spitalet rajonale janë 62. Ky është numri i foshnjave për vitin e kaluar, kemi pasur 9 për qind”, tha ajo.

Sipas drejtoreshës, çdo e 10-a foshnje konsiderohet se lind para kohe, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së foshnjave të lindura më herët është 12.6 promilë ose 12 në 1.000 foshnje.

“Arsyet janë të shumta të lindjes së parakohshme, si nga ana e nënës ashtu edhe e foshnjës. Për foshnjat. Për foshnjat që lindin në javën e 25, janë foshnja ekstrem prematurë. Nga javët 34-36 konsiderohet një prematurë më e vonshme. Sa më i papjekur komplikimet janë më të mëdha, si në aspektin e ndërtimit të organeve, po ashtu të funksioneve të vetë organizimit”, tha ajo.

Ismaili theksoi që foshnjat që lindin në periudhë shumë të hershme mund të përballen me probleme deri në rritje.

“Këto foshnje që çdo kohë edhe nëse lëshohen në gjendje të mirë kërkohet një evaluim i vazhdueshëm pasi në çdo kohë mund të paraqesin probleme. Kur fillon shkollimi, në komunikim, hiperaktiviteti. Mund të manifestohen si rezultat i papjekurisë së trurit”, shtoi drejtoresha, duke përmendur se shëndetësia në Kosovë i ofron kushtet optimale për trajtimin e secilës foshnje”, shtoi drejtoresha.

Kujdesi për foshnjat e lindura para kohe nis nga asistimi i frymëmarrjes, i parametrave vitale dhe i mbrojtjes termale, ku bëhet stabilizimi dhe transferimi i tyre në kujdesin intensiv.

Related Articles