Rrezik nga një valë e re e inflacionit, qytetarët në ankth

Rrezik nga një valë e re e inflacionit, qytetarët në ankth

Vala e rritjes së çmimeve të produkteve esenciale po vazhdon ta godas Kosovën, shkruan Gazeta “Enigma.”

Këto rritje të çmimeve po konsiderohen të papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Ali Sadiku qytetar nga Gjilani në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se gjendja aktuale në vend është e pa përballueshme.

“Duke pasur parasysh rritjen e çmimeve dhe pagat aktuale sa janë e gjithë kjo po e qon popullin në humnerë, pasi që rritja e çmimeve është duke vazhduar nga dita në ditë”, ka thënë Sadiku për “Enigmën”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se, në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar, sivjet çmimet janë më të larta në disa kategori ushqimore.

Kjo rritje e çmimeve ka ardhur si pasojë e normës vjetore të inflacionit e matur në muajin mars 2023 me muajin mars 2022, e cila, sipas ASK-së ishte 7.6%.

Ndërsa, rënie e çmimeve, sipas ASK-së, vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it si “karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-6.9%); energji elektrike (-4.8%); pajisje audio-vizuele dhe fotografike për përpunimin e informatave (-3.0%); mjete të komunikimit (-2.9%); gaz (-1.3%); dhe sigurime (-0.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7 për qind) në IHÇK”.

ASK-ja thotë se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0.4%) në muajin mars 2023.

Ndërkaq, thuhet po ashtu se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i ulët në një mesatare prej (-0.4%) në muajin mars 2023, krahasuar me muajin shkurt 2023.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it:  pajisje telefonike dhe të telefaksit (-22.7%); energji elektrike (-7.1%); shërbime për transport (-2.8%); vajra dhe yndyra (-1.8%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-1.8%); dhe qumësht, djathë dhe vezë (-1.0%)”, thotë ASK-ja në këtë raport.

Ndërsa, sipas këtij raporti, ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: prodhime ushqimore (1.8%); rekreacion dhe kulturë (0.6%); mobile, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e shtëpisë (0.4%); si dhe veshje dhe këpucë (0.2%).

Ekonomistja Yllnore Bytyqi – Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se çmimi i produkteve bazike në Kosovë është rritur për 12.5 për qind.

“Rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore në Kosovë nga maji i vitit të kaluar është rritur 12.5 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave”, tha ajo.

Tutje Bytyqi-Shala ka theksuar se “Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9 për qind në muajin mars 2023 krahasuar me muajin shkurt 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të bukës dhe drithërave me 1.8 për qind, mishi me 4.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 5.2 për qind, pemët me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 1.3 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë me 2.3 për qind dhe kafja, çaji dhe kakao me 1.9 për qind”.

Ajo ka hedhur akuza kundër naftëtarëve që çmimin e bursës nuk implementojnë në tregun tonë.

{Pra edhe të pjesa e cila ndërlidhet me naftëtarët të cilët çmimin e bursës nuk e implementojnë në tregun vendor po dëshmon që kemi të bëjmë me një super strukturë kriminale e cila interesin ka parësor në raport me ligjet natyral të tregut ekonomik në Kosovë, ka deklaruar Bytyqi-Shala për “Enigmën”.

Sipas ekspertes së ekonomisë Qeveria në këtë periudhë nuk i ka dal në ndihmë qytetarëve.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës deri me tani në kuadër të kësaj qeverie nuk ka tregu efikasitet substancial për ti ndalur në ndihmë konsumatorëve të vendit duke lejuar në mas të madhe të krijohen edhe kartele që për qëllim dhe synim kanë lidhjen e:

– Marrëveshje horizontale (nënkuptojnë ato marrëveshje që lidhen ndërmjet ndërmarrjeve konkurrente (ndërmjet prodhuesve ose grosistëve) që veprojnë në të njëjtin nivel ekonomik).

– Marrëveshje vertikale: nënkuptojnë ato marrëveshje që lidhen ndërmjet ndërmarrjeve që veprojnë në nivele të ndryshme tregu”, ka theksuar ajo.

Bytyqi-Shala apelon tek qytetarët e Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi nga Institucionet e Kosovës në lidhje me këtë çështje.

“Pra përgjithësia duhet kërkuar edhe të niveli politik por edhe ati institucional në sferën qendrore por edhe lokale të institucioneve të Republikës se Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë se edhe në Kosovë si në shumë vende të tjera në botë, tani e një vit ka pasur një rritje enorme të çmimeve në artikuj të ndryshëm. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles