Çmimi i arit ka vijuar rritjen edhe gjatë ditës së sotme në tregjet ndërkombëtare, duke u mbajtur pranë niveleve rekord historike mes pasigurive ekonomike globale dhe tensioneve gjeopolitike.
Sipas të dhënave nga Kitco dhe tregjet ndërkombëtare, ari spot tregtohej rreth 4,565 dollarë për ons, duke shënuar rritje prej më shumë se 1% gjatë 24 orëve të fundit, raportoi KosovaPress.
Edhe kontratat e ardhshme të arit në SHBA u rritën me 0.8%, duke arritur në 4,559.80 dollarë për ons. Krahas arit, në rritje ishin edhe çmimet e argjendit, ku një ons argjendi u shtrenjtua me mbi 2%, duke arritur në 77 dollarë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se qeveritë e Uashingtonit dhe Teheranit kanë zhvilluar negociata të gjera për një memorandum mirëkuptimi lidhur me një marrëveshje paqeje, e cila do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për tregti, shkruan AA.
Deklaratat e Trump kanë rritur pritjet për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke shtuar gjasat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
