Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilit kostoja e ndërtimit në vend ka shënuar rritje si në baza tremujore, ashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, Indeksi i përgjithshëm i Kostos së Ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.
Në këtë periudhë, rritjen më të madhe e kanë shënuar kostot e transportit me 5.9 për qind, pasuar nga pagat me 2.8 për qind, kostot e tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind. Ndërkohë, zbritje është regjistruar vetëm te energjia, e cila ka rënë për 3.9 për qind.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, Indeksi i Kostos së Ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.3 për qind.
Sipas të dhënave, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur kostot e transportit, të cilat janë rritur për 11.5 për qind. Po ashtu, pagat janë rritur për 8.6 për qind, kostot e tjera për 6.2 për qind, energjia për 5.5 për qind, materialet për 3.2 për qind dhe makineritë për 0.7 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i ndërtimit po vazhdon të përballet me rritje të kostove në shumicën e kategorive kryesore, duke reflektuar presionet e vazhdueshme në çmimet e materialeve, fuqisë punëtore dhe shërbimeve mbështetëse.


