Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të Iranit në zhvillimet e fundit ushtarake, ka nisur të reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës.
Në Kosovë, e cila varet pothuajse tërësisht nga importi i derivateve të naftës, këto zhvillime globale kanë nisur të ndihen në pikat e karburanteve, shkruan Gazeta Enigma.
Brenda pak ditësh, çmimet e naftës dhe benzinës kanë shënuar rritje graduale, ndërsa operatorët paralajmërojnë se luhatjet mund të vazhdojnë nëse situata në Lindjen e Mesme përkeqësohet.
Tutje, çmimi i naftës në Kosovë është rritur për 3 deri në 10 centë, varësisht nga kompanitë që tregtojnë me naftë, pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë folur për Gazetën Enigma, ku treguan se pas rritjes së çmimit të naftës inspektorët e tregut janë duke realizuar inspektime të intensifikueshme në terren.
Gjithashtu, ministria potencoi se për çdo shkelje lidhur me çmimet në treg do të ndërmirren vendime në përputhje me ligjin.
“Duke ju referuar çështjes për të cilën ju keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut përmes inspektorëve të tregut gjatë kësaj periudhe në mënyrë të intensifikuar është duke realizuar inspektime të vazhdueshme në terren, edhe sa i përket vendosjes së çmimeve në treg nga ana e operatorëve ekonomikë.Ju sigurojmë ju dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se inspektorët e tregut të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për çdo shkelje të konstatuar, do të marrin veprime në përputhje me ligjet në fuqi”,
Si pritet të ndikojnë tensionet në Iran në aspektin ekonomik në Kosovë?
Se konfliktet e tilla botërore ndikojnë në ekonominë e brishtë të Kosovës e thotë eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa.
“Rritja e tensioneve në Iran, në aspektin ekonomik, ndikon negativisht edhe në Kosovë, sepse ne jemi ekonomi e ndërvarur nga tregjet ndërkombëtare. Në këtë rast ndikon në mënyrë direkte dhe indirekte në rritjen e çmimeve të derivateve.Tek ne ndikon drejtpërdrejt, sepse rritet çmimi i derivateve, por edhe shpenzimet e transportit, doganës, taksave, tatimeve dhe shpenzimet e spediterit. Pasi plasohet në tregun vendor me një diferencë çmimi, sigurisht që rriten automatikisht edhe çmimet e derivateve”, përfundoi Bellaqa për Enigmën.
Tutje, eksperti theksoi se “autoritetet kompetente në Kosovë duhet të eliminojnë monopolin e brendshëm, në mënyrë që të mos ketë çmime monopoliste”, por çmime tregu.
Sipas tij, bizneset dhe familjet me të hyra të ulëta do të preken më shumë nga kjo rritje, gjë që do ta përkeqësojë gjendjen socio-ekonomike në Kosovë.
Ai shtoi se nafta, si artikull strategjik dhe bazik, është një komponent i rëndësishëm që ndikon edhe në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera bazike jetësore.
“Duke qenë se shumicën e këtyre produkteve nuk i prodhojmë, por i importojmë, rritja e çmimit të naftës ndikon në zinxhirin furnizues dhe rëndon më shumë kategoritë me të hyra të ulëta, si dhe bizneset, të cilat detyrohen të rrisin çmimet.Organet kompetente, si Autoriteti i Konkurrencës, duhet ta eliminojnë monopolin e brendshëm dhe të sigurojnë që të kemi çmime tregu, e jo çmime monopoliste”, përfundoi njohësi i çështjeve ekonomike për Gazetën Enigma.
A pritet të ketë ndikim të madh në rritjen e çmimit të naftës dhe deri në sa mund të rritet për litër në Kosovë?
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani, potencoi se ka gati tre muaj që çmimet e naftës në Kosovë kanë qenë stabile, por pas tensioneve në Iran ka pasur rritje të çmimit.
“Në Kosovë, çmimet përafërsisht sillen rreth: dizeli nga 1.23 euro deri në 1.35 euro, kurse benzina nga 1.24 euro deri në 1.34 euro. Për rreth tre muaj nuk ka pasur lëvizje të çmimeve, por lufta në Iran, rritja e tensioneve, rreziku për ndërprerje të prodhimit dhe zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë, janë arsyet pse ka filluar kjo luhatje e çmimeve”, tha Berjani për Gazetën Enigma.
Berjani theksoi se çdo problem që ndodh në korridorin e Hormuzit reflektohet në tregjet globale dhe, rrjedhimisht, edhe në Kosovë.
“Këtë ngushticë e kanë kaluar qindra anije në ditë, por tani nuk kalojnë më shumë se 4 deri në 5 anije në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, vazhdoi Berjani për Enigmën.
Ai deklaroi se në Kosovë ka mjaftueshëm derivate dhe se nuk ka vend për panik nga ana e qytetarëve.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për panik, sepse derivate ka mjaftueshëm në shtetin tonë. Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje paqeje dhe të stabilizohet tregu i naftës në të gjithë globin”, përfundoi Berjani për Enigmën./GazetaEnigma/
