Rrugët e Kosovës vazhdojnë të jenë skenë e aksidenteve tragjike, me një bilanc shqetësues të regjistruar vetëm gjatë katër ditëve të fundit.
Nga 20 deri më 23 korrik, pesë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, ndërsa mbi 120 aksidente të tjera kanë përfunduar me persona të lënduar.
Rasti i fundit u shënua të enjten në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, ku një grua humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të lënduar.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar:
5 aksidente me fatalitet, me 5 viktima;
121 aksidente me persona të lënduar;
162 aksidente me dëme materiale;
7.123 gjoba trafiku të shqiptuara.
Pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme dhe numrit të madh të gjobave, aksidentet vazhdojnë të shkaktojnë pasoja të rënda.
Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të shmangin tejkalimet e rrezikshme, shpejtësinë e tepërt dhe drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, me qëllim parandalimin e tragjedive të tjera në rrugët e vendit.
