Ish-ndihmëssekretari i Shtetit në administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, edhe sot do ta vazhdojë dëshminë para Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rubin si dëshmitar është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ku të hënën e 15 shtatorit dha dëshminë e tij për disa orë, ku foli rreth shumë çështjeve.
Gjykatësi lëshoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 të publikuar nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.
Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.
Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës.
“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.
“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.
Gjykatësi po ashtu e pyeti nëse Rubin ishte në dijeni se Thaçi kishte kërcënuar dy anëtarë të delegacionit të Kosovës në Rambuje që nuk ishin pjesë e UÇK-së, pasi në videon e transmetuan u shfaqën duke folur në atë dokumentar Veton Surroi dhe Dukagjin Gorani.
“Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët… kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.