Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar Iranin se çdo përpjekje për të goditur anijet luftarake amerikane do të pasohet me sulme ndaj cisternave iraniane.
Rubio e cilësoi situatën si “mjaft të drejtpërdrejtë”, duke deklaruar se SHBA-ja do të përgjigjet ndaj çdo sulmi apo tentative sulmi nga Irani.
“Irani vazhdon të përpiqet të godasë anijet luftarake amerikane. Dhe për çdo herë që e bën këtë ose përpiqet ta bëjë, do të humbasë cisterna”, deklaroi Rubio gjatë një vizite në Kolumbi.
Sipas CENTCOM, anija amerikane e shënjestruar nga raketat iraniane arriti t’u shmangej sulmeve, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u plagos.
Sulmet e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi SHBA-ja goditi tri cisterna të tjera iraniane, pas përpjekjeve të Teheranit për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një anije amerikane të pajisur me raketa të drejtuara.
