Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zakharova, ka thënë se shteti i saj mbështet kushtet që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i paraqiti javën e kaluar në lidhje me Kosovën, një ndër të cilat është kthimi i forcave serbë të sigurisë në Kosovë.
“Iniciativa e presidentit Vuçiq sugjeron se ky është hapi i vetëm i mundshëm që Beogradi e sheh tani. Ne i mbështesim plotësisht kërkesat e parashtruara, mirëpresim synimin për të riparaqitur kërkesën për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Zakharova në një konferencë për media.
Ajo tha se Brukseli dhe Uashingtoni nuk mund të veprojnë si “ndërmjetësues të ndershëm” në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Duke qenë se ShBA-ja nuk është e aftë të luajë rolin e një ndërmjetësi të ndershëm, për të siguruar përmbushjen e marrëveshjeve kryesore nga Brukseli, ata, ashtu siç e krijuan atë kuazi-komunitet, ashtu edhe e tolerojnë, duke mos lënë asnjë shans për një përfundim të drejtë të situatës. E gjithë kjo është në dëm të paqes dhe stabilitetit”, theksoi ajo.
“Kosova dhe e gjithë kjo kuazi-pavarësi është ide e Perëndimit dhe rezultat i ndarjes barbare të Serbisë pas agresionit po aq barbar të NATO-s në vitin 1999”, shtoi tutje ajo.
“Për 25 vitet e ardhshme, sponsorët e të ashtuquajturit projekti i Kosovës punuan për legalizimin e kapjes së atij territori origjinal serb nga shteti i Serbisë. Çfarë po ndodh tani? Në këtë fazë, pas ardhjes së Kurtit në pushtet në Prishtinë, ai proces kulmoi. Shqiptarizimi ka marrë përmasa kërcënuese. Ata po i dëbojnë serbët nga territori i krahinës, duke u përpjekur të fshijnë gjurmët e trashëgimisë së tyre historike shekullore. Unë as që do të flas për korrupsion dhe krime në territorin e Kosovës dhe Metohisë, sepse si të mos ketë?! Vetëm kur ka shtet, institucionet mund ta menaxhojnë atë, të vendosin rendin dhe ligjin. Por ky është një kuazi-shtet, e kanë formuar me mashtrim, kështu që sot ekziston me mashtrim”, u shpreh më tej Zakharova.
Sipas saj, fajtor për “moszgjidhjen e çështjes së Kosovës” është Bashkimi Evropian, i cili, sipas saj, i “mbështetur si gjithmonë nga amerikanët, e ka sjellë zgjidhjen e çështjes së Kosovës në ngërç”.
Zëdhënësja e MPJ-së ruse thotë se “për vite me radhë, ata (Perëndimi) mbronin banditët e tyre në Prishtinë, shpikën alternativa të së drejtës ndërkombëtare, kuptuan se si të anashkalonin rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u përpoqën ta zgjidhnin problemin e Kosovës ekskluzivisht në kurriz të serbëve që vuajtën aq shumë për shkak të perëndimorëve dhe situatës në tërësi”.
“Prandaj, Kurtit iu dha e plotë ‘carte blanche’ për të pastruar pjesën veriore joshqiptare të krahinës, duke mbyllur strukturat administrative, komunale, tregtare që nuk janë nën kontrollin e tyre”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, ajo kërkoi “vendosjen e status quo-së, kthimin në thelbin e Marrëveshjeve të Brukselit”, të cilat tha ajo, “mund të sigurojnë bazën për dialog të mëtejshëm të frytshëm”.
“Të shfuqizohen vendimet e njëanshme të kundërligjshme të Kurtit, duke përfshirë mbylljen e administratave serbe, bankave, postave, zëvendësimin e serbëve me shqiptarë në organet e vetëqeverisjes lokale, ndalimin e përdorimit të dinarëve dhe shumë të tjera të përmendura nga presidenti serb. Parakushti kryesor për normalizimin është që shqiptarët e Kosovës t’i përmbushin obligimet e tyre në përputhje me dokumentet që kanë nënshkruar, mbi të gjitha për formimin e Asociacionit të Komunave (me Shumicë) Serbe në Kosovë”, tha Zaharova.
Qeveria e Serbisë më herët ka miratuar një paketë masash ekonomike dhe ligjore për mbrojtjen e popullatës serbe dhe të drejtave të saj në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka thënë se do t’u dërgojë letra për situatën e vështirë në Kosovë liderëve të BE-së, si dhe ShBA-së, Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të zhvillojë takime me 60 liderë botërorë për këtë çështje.