Kryeministri i Holandës, Mark Rutte në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti tha se si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi ka vërejtur që palët janë të interesuara që të de-eskalojnë situatën.
Ai tha se veprimet për de-eskalimin e situatës duhet të vijnë nga të dyja palët.
“Kemi pas bisedime të gjata në Beograd dhe Prishtinë… Jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse mundemi… Tani duhet të fokusohemi në de-eskalim dhe në udhërrëfyesin e BE-së… De-eskalimi duhet të jetë nga të dy palët…Jam optimist se mendjet e ftohta do të mbizotërojnë…”, tha Rutte.
Ai tha se e ka parë që edhe në Beograd dhe në Prishtinë palët dëshirojnë të de-eskalojnë situatën, ndërkaq theksoi se duhet përkrahur procesin e udhëhequr nga BE-ja dhe ndihmuar nga SHBA-të.
Ndërkaq, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se Luksemburgu dhe Kosova kanë lidhje të fuqishme.
Duke folur për tensionet në veri, Bettel ka thënë se nuk kanë ardhur këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe për të gjetur një zgjidhje.