Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti dhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla kanë takuar sot virtualisht ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Ky takim i jashtëzakonshëm u realizua pas fillimit të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se diplomatët e Kosovës, me detyrë në vende të ndryshme janë njoftuar nga Kurti e Gërvalla lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve nga Rusia, Bjellorusia dhe dy rajonet e Ukrainës që shpallën ilegalisht “pavarësinë.”
Me këtë veprim Kosovës u rreshtua përkrah vendeve demokratike, në këtë betejë botërore kundër diktaturës e autokracisë, u theksua në takim.
Ambasadorët tanë bënë të ditura pozicionet “dhe zhvillimet e fundit të vendeve pritëse dhe vendeve të tjera që i mbulojnë. Ata po ashtu njoftuan kryeministrin dhe zëvendëskryeministren lidhur me angazhimin e tyre intensiv në përcjelljen e informacionit tek vendet që mbulojnë për pozicionin e Republikës së Kosovës, në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, thuhet më tutje në njoftim./Gazeta Enigma/