Sarrazin: Kriza në veri të shfrytëzohet për të nxitur dialogun

Sarrazin: Kriza në veri të shfrytëzohet për të nxitur dialogun

Kriza në veriun e Kosovës duhet të shërbejë për t’i dhënë një shtysë përpara dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë përfaqësuesi i Qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarrazin gjatë një diskutimi virtual që u organizua nga Këshilli i Atlantikut me seli në Uashington.

“Ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi për ta çuar dialogun përpara duke marrë parasysh propozimin evropian me të cilin po punojnë zoti Lajçak, zoti Borell dhe kancelari gjerman së bashku me presidentin francez. Kjo është një mundësi e madhe që duhet shfrytëzuar, në vend që këto vende t’i hapin gropa njëri-tjetrit duke rrezikuar që i gjithë rajoni të bjerë brenda tyre”, ka thënë Sarrazin, raporton “Zëri i Amerikës”.

Ai ka shtuar se Procesi i Berlinit që kishte si objektiv forcimin e lidhjeve mes Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të BE-së, u rigjallërua me qeverinë e re gjermane dhe me nisjen e luftës në Ukrainë. Takimi i fundit i mbajtur në tetor në Berlin dhe më pas takimi i nivelit të lartë në Tiranë përfunduan me arritjen e disa marrëveshjeve që do kenë ndikim në jetën e qytetarëve të Ballkanit. Por, Sarrazin ka shprehur zhgënjim që kjo atmosferë pozitive e krijuar, nuk solli më shumë rezultate pozitive për rajonin.

“Ndoshta kemi arritur të rigjallërojmë procesin e Berlinit, dhe duhet ta vazhdojmë atë, por unë shpresoja që kjo atmosferë pozitive të sillte më shumë rezultate në lidhje me tema të nxehta. Por, ende kemi kohë, ndaj le të qëndrojmë optimistë dhe besnik idesë që nganjëherë duhet të bëjmë edhe hapa të vegjël, si ajo me lëvizjen e lirë apo çmimet e thirrje telefonike ‘roaming’ që u arrit në Tiranë dhe të mos harrojmë t’i zbatojmë këto hapa të vegjël”, ka thënë ai.

Në diskutimin me temë “Rruga përpara mbi nismat e integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor” nuk pati të ftuar nga Kosova. Ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishqeviq ka thënë se në vendin e saj është shumë e vështirë të flitet për integrim evropian kur temat që mbizotërojnë janë zhvillimet në veriun e Kosovës apo marrëdhëniet me Rusinë. Gjatë debatit u fol gjatë edhe për integrimin në Bashkim Evropian të vendeve të Ballkanit. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka kujtuar se vitin e ardhshëm bëhen 20 vjet nga mbajtja e takimit të Selanikut ku blloku evropian u zotua se Ballkani ka të ardhme evropiane. Gjatë diskutimit u fol edhe për dallimet mes Procesit të Berlinit dhe nismës Ballkani i Hapur, iniciativa e tri vendeve të rajonit, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Përfaqësuesi i qeverisë gjermane e krahasoi Ballkanin e Hapur me një lojtar te mirë futbolli që momentalisht është i ulur në stolin e rezervave, pasi ekipi në këtë rast Procesi i Berlinit është rigjallëruar dhe po arrin suksese edhe pa të. Ministrja serbe për integrime evropiane ka thënë se të dy proceset nuk krijojnë përplasje me njëra-tjetrën, ndërsa paralajmëroi se takimi radhës së Ballkanit të Hapur do të mbahet gjatë këtij muaji, në Tiranë.

Qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës javën e shkuar, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë e që më pas u shtynë, në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së. Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan. Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht.

Related Articles