Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka njoftuar se në takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, por edhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë analizuar rrjedhën e protestës së 20 majit
Sipas njoftimit, gjatë këtyre takimeve është vlerësuar se ky veprim sindikal ka shënuar pjesëmarrje të madhe të sindikalistëve e veçmas të anëtarësisë së SBASHK-ut dhe se “ata meritojnë respekt të lartë për qëndrimin e dinjitetshëm gjatë marshimit dhe gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta”.
“SBASHK shpreh respekt edhe për mirëkuptimin e nxënësve, studentëve dhe të prindërve lidhur me apelin që të premten shkollat e Universitetet të mos punojnë ngase të punësuarit në këto institucione arsimore ishin pjesë e protestës”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.
“Në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve dhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të BSPK-së duke debatuar për hapëtat e radhës u vendos unanimisht që të respektohet detyrimi dhe obligimi nga Ligji mbi grevat që para se të shkohet në grevën e përgjithshme të aktivizohet ndërmjetësuesi ligjor për të ndërmjetësuar në nisjen e dialogut mes BSPK-së dhe Qeverisë e me qëllim të arritjes së marrëveshjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë, marrëveshje kjo që është pastaj obligative”.
SBASHK-u më tej ka thënë se shpreson që me Qeverinë të arrihet një marrëveshje pranueshme. Ndërsa, ka shtuar se në kuadër ndihmesës që çështjet të zgjidhen me dialog, kryetari Rrahman Jasharaj bashkë me përfaqësues të tjerë të SBASHK-ut, të hënën janë takuar me zv/ministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovci dhe anëtarë të kabinetit të Ministres Arbërie Nagavci.
“Për të bashkëbiseduar për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe gjetjes së mundësive për zgjidhje të kërkesave legjitime të punëtorëve të arsimit pa pasur nevojë për veprime të tjera sindikale. Të dy palët janë pajtuar që ta mbajnë të informuar njëra-tjetrën për çdo angazhime situatë të krijuar”.
“Po ashtu përfaqësuesit e SBASHK-ut në kuadër të delegacionit të BSPK-së sot janë takuar me 6 deputetë të VV-së, të cilët janë shprehur se po flasin në emër të gjithë deputetëve të këtij subjekti politik. Përfaqësuesit sindikalë kanë ripërsëritur gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë duke u shprehur se deri tani ka munguar gatishmëria e institucioneve për dialog dhe se kjo ka sjellë deri të veprimet sindikale që janë organizuar deri tani”.
“Deputetët kanë dëgjuar me kujdes gjithë diskutimet e përfaqësuesve sindikalë e pastaj janë deklaruar se do të angazhohen që të vazhdojnë takimet e dialogu me deputetët, Komisionet Parlamentare, por edhe me Qeverinë me qëllim që bashkërisht të gjenden zgjidhje të pranueshme të kërkesave legjitime të anëtarësisë e brenda mundësive reale të buxhetit”, përfundon komunikata.