Skënder Gashi, anëtar i këshillit drejtues të SBASHK-ut, vlerëson se nëse nuk u del paga e shtatorit mësimdhënësve, mund të kthehet greva.
Gashi thotë se së pari do të konsultohen me anëtarësinë, por që nuk e përjashton mundësinë se mund të kthehet greva, nëse nuk reflekton qeveria, sipas tij.
“Ne grevën e kemi pezulluar, nuk e kemi përfunduar. Ne do të konsultohemi paraprakisht me anëtarësinë se cilat do të jenë veprimet e radhës, mirëpo nuk do ta shuajmë zërin sindikalist dhe prapë se prapë do të fillojmë me veprime sindikale, rikthimin në greva, mund të ketë veprime sindikale, nuk mund të paragjykoj se cilat veprime do të jenë tani, greva është vetëm e pezulluar dhe ai që e kupton fjalën pezullim do të thotë se mund të kthehet në momentin kur konstatojmë që mund të kthehet”, ka thënë Gashi në Info Magazine.
Derisa kryetarja e shkollave të mesme të larta në SBASHK, Hanife Salihu, ka thënë se orët e humbura nuk do të zëvendësohen, pavarësisht vendimit të MASHT-it për t’i zëvendësuar ato.
Salihu për Klankosova.tv ka theksuar se ligji për grevat nuk parasheh të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës.
“Jam në dijeni për këtë vendim të MASHT-it, por orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveçse në këtë rast MASHT-i dhe SBASHK-u arrijnë marrëveshje të veçantë. Qeveria duhet të kërkojë takim me ne dhe te dalim me një propozim dhe ne e pyesim anëtarësinë. E më pas krejt varet se si anëtarësia, por jo paraprakisht pa pasur dialog social. Ngase ligji mbi grevat nuk parasheh të zëvendësohen orët e humbura gjate grevës. Jo, deri më tani nuk e kemi asnjë ftesë për konsultim. Por, shpresojmë që qeveria do të reflektojë e do të veprojë në bazë të ligjit mbi grevat ku në këtë marrëveshje është edhe MASHT-i, mos të bën shkelje ligjore”, ka thënë Salihu.