SC Gjilani i pathyeshëm në 19 ndeshje, rrugës drejt rekordit të Dritës

SC Gjilani i pathyeshëm në 19 ndeshje, rrugës drejt rekordit të Dritës

Gjilani nën drejtimin e Ismet Munishit është duke u treguar skuadër superiore në edicionin 2021/22 në elitën e futbollit kosovar.

“Kuqebardhët” në 22 ndeshjet e zhvilluara kanë pësuar vetëm një disfatë dhe kjo tregon për një ekip të komponuar dhe që po synon gjithë trofetë e mundshëm.

Por, kjo nuk është e tëra. Gjilani ka hyrë në një ecuri fantastike të rezultateve duke renditur plot 19 ndeshje zyrtare pa “shijuar” disfatën. Humbja e fundit e skuadrës gjilanase është më 19 shtator kur pësuan në shtëpi 2:3 nga Ulpiana.

Pavarësisht ecurisë pa disfatë, “Skifterat” ju duhet ende kohë për ta thyer rekordin që e mban rivali i përbetuar lokal, Drita që ka 32 ndeshje pa pësuar disfatë.

Drita këtë rekord e kishte regjistruar në edicionin 2017/18 në kohën kur drejtoheshin nga trajneri, Bekim Isufi, sezon ai kur “bardhekaltrit” u stolisën me titullin e dytë në histori të klubit.

Useini: Nuk po mendojmë për rekordet e tjerëve, synojmë arritjen e objektivave madhore

Muhamed Useini, mbrojtësi i Gjilanit ka thënë për Demokracia.com se ata nuk po mendojnë fare për rekorde të këtij lloji, por vëmendjen e kanë për t’i arritur objektivat e klubit.

Nuk kemi objektiv të arrijmë rezultatet apo rekordeve e të tjerëve. Nuk e shohim dhe as nuk e mendojmë atë. Pranë vetës kemi objektiva më madhor që duhet arritur. Shifrat janë vetëm numra që shërbejnë për statistika dhe asgjë më shumë”, deklaroi Useini të martën për Demokracia.com.

Futbollisti tetovar tregoi edhe “çelësinë” e kësaj ecurie të rezultateve.

Kompaktësia e grupit dhe karakteri për të luftuar për çdo pikë të mundur ka bërë që të kemi këtë ecuri të gjatë të ndeshjeve pa humbur. Do angazhohemi maksimalisht që të qëndrojmë të pathyeshëm dhe të marrim maksimumin e mundur, pasi që siç e thash kemi një objektiv madhor dhe asesi atë të shifrave, apo rekordeve statistikore”, potencoi futbollisti 33-vjeçar që është një nga lojtarët kyç në përbërjen e Gjilanit.

Gjilani qysh para nisjes së edicionit ua ka bërë të qartë kundërshtarëve se e synojnë titullin e kampionit për herë të parë në histori.

Ata pas 22 ndeshjeve renditen në pozitën e dytë me 43 pikë, vetëm dy më pak se Ballkani i vendit të parë, kurse kanë dy më shumë se Drita që po i ndjek nga pozita e tretë tabelore.

Ndeshjen e radhës Gjilani e luan në shtëpi kundër Ulpianës së Lipjanit. 

Related Articles