Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, priti të martën në takim bilateral në Berlin kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ky takim vjen në kohë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe raportet e tij me Bashkimin Evropian. Me patjetër ndër top temat e diskutimit të kryeministrave ishte propozimi evropian për ujdi bazë Kosovë-Serbi.
Scholz, që bashkë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, është nismëtar i dokumentit në fjalë, thotë se, bashkë me ShBA-në e BE-në, këtu kemi të bëjmë me një propozim të peshuar dhe se shpreson që procesi të përfundojë së shpejti me sukses.
“Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikosh deklaratat publike të Vuçiqit dhe Kurtit, ky është një përparim. Mendoj se ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Prandaj unë jam i gëzuar kur ne arrijmë rezultatet konstruktive dhe të mira. Ndjesia ime është se tani mund të bëhet realitet ajo që deri tani nuk ishte e mundur. Do të ishte e mirë për zhvillimin e rajonit dhe Kosovës dhe Serbinë”, tha Scholz, kur u pyet për propozimin evropian nga gazetarët.
Nga ana e tij, Rama theksoi se Shqipëria mbështet fort propozimin, i cili u pajtua si dokument i pandryshuar më 27 shkurt në takimin e Brukselit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht, e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë është një plan absolutisht shumë përmbajtjesor dhe njëkohësisht shumë realist, i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur dhe të cilin të dyja palët duhet ta trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe me të gjithë kurajën e domosdoshme”, shtoi kryeministri shqiptar. Derisa Shqipërinë e quan partnere të besueshme të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare, Scholz dha zotime për angazhim që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në BE dhe kjo është detyrë, sipas tij, që “Evropa duhet ta kryejë tani”.
Kryeministri dhe kancelari u morën vesh që Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
“Besojmë që në Tiranë të kemi mundësi të deklarojmë marrëveshjen përfundimtare për çeljen në Tiranë të Kolegjit të Brugit (Bruzhit) që do jetë në funksion të të gjithë rajonit”, tha Rama.
Takimi i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt pikërisht në Berlin më 3 nëntor 2022, ku nga liderët e gjashtë shteteve të perëndimit të Ballkanit nënshkruan 3 marrëveshje bashkëpunimi.