Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë.
Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.
Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.
Ai tha se ky vendim, po ashtu, nuk ndalon Qeverinë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.
“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Kurti tha se BQK-ja i ka dërguar një letter Bankës Popullore të Serbisë, duke i propozuar një marrëveshje.
Kryeministri kosovar insistoi se vendimi për dinarin nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por sipas tij, ai mbron të gjithë qytetarët e çdo etnie nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.
Sipas Kurtit, qytetarët në veri të Kosovës, përditë po kërcënohen nga grupet kriminale që pranojnë para të kontrabanduara kryesisht nga kufiri me Serbinë.
“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të lejohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.
Si Vuçiq, ashtu edhe përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës – shtete aleate të Serbisë – akuzuan Kosovën se me vendimin e dinarit, por edhe vendime të tjera, sikurse mbyllja e komunave që funksionojnë sipas sistemit serb, po kryejnë “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.
Rusia, madje, tha se mund të ketë shpërthim të një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, përderisa tërhoqi paralele mes situatës së palestinezëve në Gazë dhe serbëve në Kosovë.
“Ideja se Kosova po kryen një fushatë spastrimi etnik apo përndjekje kundër komunitetit serb, është një gënjeshtër”, iu përgjigj Kurti ndaj këtyre akuzave.
Gjatë mbledhjes, shtete të ndryshme, sikurse Franca, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia si dhe Shtetet e Bashkuara, u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.