Nga e diela, Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, do të nis një vizitë në Ballkan, në kuadër të së cilës do të vizitojë edhe Kosovën. Vizita e tij do të përfundojë të mërkurën, më 22 nëntor.
Këtë vizitë, Stoltenberg do ta fillojë në Bosnjë e Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës. Pas Bosnjës, ai do të vijë në Kosovë
Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të qëndrojë në Kosovë të hënën, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR’it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR’it dhe do t’ju adresohet trupave.
Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.
Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.
Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.
Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.