Sekretari i NATO-s flet me Kurtin dhe Vuçiqin: Prishtina dhe Beogradi të përmbahen

Sekretari i NATO-s flet me Kurtin dhe Vuçiqin: Prishtina dhe Beogradi të përmbahen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jans Stoltenberg njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Stoltenberg tha se është jetike që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen dhe t’i kthehen dialogut.

“Bisedova me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për nevojën e de-eksalimit në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje e ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Më herët gjatë të shtunës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dje tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

Lidhur me situatën kanë reaguar edhe liderët opozitarë, të cilët sot janë takuar me kryeministrin Kurti për ta ofruar mbështetjen e tij në mbrojtjen e sovranitetit të vendit.

Related Articles