Si Kryetar i Nënkomitetit për Evropën, Kongresmeni Keith Self e shfrytëzoi kohën e tij gjatë një seance dëgjimore në Kongres me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për të theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Duke u bazuar në vizitën e tij të fundit në Kosovë, Luginën e Preshevës, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Kongresmeni Self e përshkroi rajonin si “jashtëzakonisht të brishtë” dhe theksoi se integrimi i Kosovës në institucionet euroatlantike mbetet thelbësor për stabilitetin rajonal afatgjatë.
Kongresmeni Self gjithashtu përshëndeti emërimin e fundit të ambasadorëve të SHBA-së në vendet e rajonit dhe theksoi rëndësinë e emërimit të një ambasadori të SHBA-së në Kosovë, duke vënë në dukje se ai pret me padurim mbështetjen e Administratës në plotësimin e këtij pozicioni të rëndësishëm.
Sekretari Rubio riafirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor dhe të përkushtuara për të parandaluar konfliktin dhe paqëndrueshmërinë në rajon.
“Të jem i sinqert me ju, s’mund të flas për zgjerimin ( e NATO’s) bazuar në mbledhjen e kaluar me ministrat e jashtëm, me siguri sekretari Hegseth ka komente shtesë, por ajo çka unë përceptova… thënë në përgjithësi, NATO është aq e fokusuar në disa çështje të tjera që u përmendën këtu…zgjerimi veçanërisht në rastin e Kosovës nuk është agjendë parësore e dikujt, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë ndonjëherë…”, sqaroi Rubio, duke bërë me dije që anëtarësimi i Kosovës nuk është në agjendën e NATO-s.
Kongresmeni Self vazhdon të jetë një nga zërat më të fortë në Kongres për forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe komuniteteve shqiptaro-amerikane dhe shqiptare.
