Sekuestrimi i 85 mijë eurove | Ky është grupi kriminal që merrej me para false, tre prej tyre vëllezër

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ka kryer një aksion ku është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën dhe nga grupe kriminale janë shpërndarë në shtetet e rajonit.

Siç mëson Sinjali, shtatë të arrestuarit që u kapën në flagrancë janë Sherif Ajrullovksi, Ali Ajrullovski dhe Benjamin Ajrullovski – vëllezër nga Maqedonia e Veriut, si dhe Hajdrin Dernjani, Setki Ramuka, Muhamet Krasniqi.

Ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit dhe të njëjtit kanë dalë sot para Gjykatës, teksa burimet brenda Prokurorisë thonë se akoma nuk është marrë vendimi nga Gjykata.

Në operacionin e Policisë për arrestimin e tyre janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej 85 mijë euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

“Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe  shtatë (7) telefona celularë”, thuhet në njoftim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles