Sekuestrohen rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës

Sekuestrohen rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës

Prokuroria në Ferizaj ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm në Brezovicë janë sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte ndërtimore.

Sipas Prokurorisë, të njëjtat janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”,thuhet në njoftimin për media.

Tutje duhet përkujtuar që nga rasti “Brezovica” deri më tani janë mbi 30 persona të arrestuar.

“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”,thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Aksioni “Brezovica” është duke u zhvilluar prej shumë kohës, në lokacione të ndryshme në Kosovë nga ku ka rezultuar me arrestimin e shumë personave dhe sekuestrimin e shumë vilave e gjësendeve të vlefshme nga të arrestuarit.

Related Articles