Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj është deklaruar kundër lejimit të shamisë për vajzat e mitura në shkolla publike, duke theksuar se Kosova është shtet laik.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës: Neni 8 [Shteti Laik] Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Kushdo që me injorancë apo qëllime tjera perfide cenon këtë normë kushtetuese, atëherë ka cenuar themelet e Demokracisë Kushtetuese të vendit tone”, ka shkruar ai.
“Konform përgjegjësive që kemi, do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”, është thënë nga MASHT-i pas reagimeve të ndryshme rreth kësaj çështje ditëve të fundit.
Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në Kosovë.
Por megjithatë, MASHTI, përmes një komunikate për media ka thënë se e drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar.
“Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar”.
Ndërsa, është thënë se aktualisht ky dikaster është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë”.