Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka pyetur sot kryeministrin, Albin Kurti, se a vazhdon të mendojë që kushdo që e shkel Kushtetutën e Kosovës është superkriminel?
E gjithë kjo ka ardhur pasi Kushtetuesja gjeti se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë shkelje kur është përzier në reformën në arsim të nisur nga ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
“Dua ta marrë një referencë se çfarë ka thënë z.Kurti në vitin 2015: Kush e shkel Ligjin është kriminel, por ai që e shkel Kushtetutën është superkriminel. E ka pas fjalën për kryeministrin Mustafa. Dhe ka thënë nuk ka kriminel më të madh në burgjet e Kosovës sesa kryeministri i Kosovës që e ka shkel Kushtetutën. A vazhdon me mëndu edhe sot që kushdo që e shkel Kushtetutën është kriminel, superkriminel”, ka thënë Selmanaj.
Ai tha se qeveria Kurti përfshirë edhe atë të parën e kanë shkelur katër herë Kushtetutën.
“Ne kemi qeverinë Kurti e cila për një vit të qeverisjes së tij, përfshirë edhe periudhën e qeverisë Kurti 1, katër herë është shkelës i Kushtetutës. Në Qeverinë Kurti 1 dy herë e ka shkelur Kushtetutën si pasojë e masave kundër pandemisë, dhe GJK e ka konstatuar këtë. Asnjë lëvizje dhe asnjë përgjegjësi politike nga kryeministri Kurti. Së fundmi kemi edhe dy aktgjykime të tjera. Një që lidhet me mazhorancën në Kuvend që ka të bëjë me shkarkimin e Këshillit Mbikëqyrës si grup kolegjial dhe së fundmi ministrja Nagavci si shkelëse e kushtetuese”, tha më tutje Selmanaj.
Kritika pati edhe për dërgimin e një letre nga MASHT në Kushtetuese e ku kërkohen prova se pse është marrë vendimi ndaj Nagavcit, javën e kaluar.
“MASHT I ka dërguar një letër Kushtetueses e ku i kërkon prova se si ka ardhur deri tek ky vendim I GJK-së. E pabesueshme veç për ta mendu e jo për më ndodh në një sistem demokratik. Kjo është skandaloze”, tha ai./Gazeta Enigma/