Senatorët amerikanë arrijnë marrëveshje për investimet në infrastrukturë

Pasi arritën një marrëveshje “kornizë” të një projekt-ligji të shpenzimeve për infrastrukturë, një grup senatorësh republikanë dhe demokratë do të zhvillojnë bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden, më 24 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne arritëm një marrëveshje për një plan, por do ta përfundojmë atë nesër”, tha senatori demokrat, Joe Manchin.

Presidenti Biden e ka vënë si prioritet kryesor ndërtimin e rrugëve, urave dhe infrastrukturës tjetër pasi, sipas tij, kjo do të ndihmonte në rritjen ekonomike derisa vendi po del nga pandemia e COVID-19. Biden ka kërkuar triliona dollarë investime në infrastrukturë si dhe për të ashtuquajturën “ekonomi të kujdesit” që përfshinë qendrat e kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe spitalet.

Në fillim propozimi ishte për ndarjen e rreth 2.3 trilionë dollarëve. Mirëpo, republikanët e kundërshtuan pjesën e investimeve në infrastrukturën e objekteve të kujdesit.

Grupi i ligjvënësve republikanë dhe demokratë kanë punuar për një plan më të vogël tetë-vjeçar të infrastrukturës në vlerë 1.2 trilion dollarë.

Shtëpia e Bardhë tha se një takim midis senatorëve dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë kishte qenë produktiv.

“Grupi bëri përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme dhe presidenti i ka ftuar të vijnë nesër në Shtëpinë e Bardhë për ta diskutuar atë personalisht”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Çështja më e diskutueshme ka qenë ajo e mënyrës së pagesës për investimet.

Senatorët nuk pranuan të zbulojnë detajet e marrëveshjes, por theksuan se grupi kishte rënë dakord jo vetëm për nivelet e shpenzimeve, por edhe për mënyrën e pagesës së saj.

Related Articles