Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, dështimi rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në

Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, dështimi rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në

Një thirrje tjetër ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për situatën në veri të Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët mbipartiake, disa senatorë, pra republikanë e demokratë, kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri.



Senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts u deklaruan të shqetësuar në lidhje me situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës. Në komunikatën e tyre të përbashkët, ata deklaruan se mbështesin përpjekjet e ShBA-së dhe të BE-së për ndërmjetësim.

“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin e SHBA-së për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një rezolutë të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiq duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të deeskaluar situatën, për të rikthyer besimin popullor në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.”

Tutje, senatorët amerikanë theksojnë se dështimi për të shtensionuar situatën, do të shkakton pasoja nga Perëndimi.

“Dështimi për të shtensionuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje përpara pa vonesë.”

Ndryshe, sot kryeministri Albin Kurti, foli rreth marrëdhënieve me ShBA-në, duke thënë se ai i plotëson kërkesat e Amerikës në raporte bilaterale, por duhet të jetë i kujdesshëm në kërkesat në marrëdhëniet me Serbinë.

“Kur SHBA-ja kërkon diçka në kuadër të marrëdhënieve bilaterale, ne nuk kemi kurrfarë dileme të themi po, mirëpo kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me raportet tona me Serbinë atëherë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm por normalisht gjithnjë të jemi bashkëbisedues, konstruktiv e të përkushtuar.”, tha Kurti.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale…” – deklaroi Kurti.

“Nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash e ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik edhe më progresist në Ballkanin Perëndimor, unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë, kemi sfida me emisarët edhe evropianë edhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme, kur vjen emisari amerikan apo evropian si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, është në pyetje raporti me Serbinë.” – shtoi Kurti.

Related Articles