Rreth 100 nacionalistë serbë u mblodhën përpara një kishe ortodokse në Mal të Zi të enjten në një shfaqje të rrallë evropiane të mbështetjes për pushtimin rus të Ukrainës dhe presidentit Vladimir Putin.
“Paç fat, Vladimir, ti je rojtari i Ortodoksisë!” bërtiti udhëheqësi i protestës Veselin Gjokoviq. “Shpresojmë që ju ta ktheni Kosovën në krahët tanë”, vazhdoi ai, duke iu referuar ish-krahinës serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008, raporton Reuters.
Ndërkaq, Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën serbe, raporton se protestuesit, duke mbajtur pankartën “Serbët në Mal të Zi, Rusët në Ukrainë”, thërrisnin “Gjithçka është Rusi, vetëm Kosova është Serbi”, “Serbët e Putinit”.
Gjokoviqi i dërgoi një mesazh Presidentit të Rusisë, i cili nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Ne jemi me ju Putin. Ne ju mbështesim si qytetarë të lirë të Nikshiqit. Ju nuk duhet të lejoni fashistët dhe nazistët të bëjnë atë që duan. Ju jeni rojtari i Ortodoksisë dhe shpresojmë se do të na e ktheni Kosovën”, ka thënë Gjokoviqi, sipas REL-it.
Politika e Malit të Zi është shënuar prej kohësh nga ndarjet midis atyre që identifikohen si malazezë dhe serbëve pro-rusë, të cilët kundërshtuan pavarësinë e vendit të vogël të Adriatikut nga bashkimi shtetëror me Serbinë dhe preferojnë lidhje më të forta me Serbinë dhe Rusinë, transmeton Zeri.info.
Protestuesit valëvitën flamujt rusë dhe mbanin një pankartë të madhe ku shkruhej “Serbët në Mal të Zi, rusët në Ukrainë”. Ata brohorisnin “Rusia” dhe “Donbas” – duke iu referuar një rajoni separatist të Ukrainës të mbështetur nga Rusia – ndërsa kambanat e kishave binin në sfond në qytetin e Nikshiqit.
Ata gjithashtu shanë NATO-n, organizatë në të cilën Mali i Zi u bë anëtar në 2017.
“Ne nuk jemi për luftë, por ju (Rusia) keni mbështetjen tonë për të parandaluar shkatërrimin e rusëve për shkak të ambicieve të NATO-s”, tha Gjokoviqi.
Pas një votimi mosbesimi në qeverinë pro-serbe të mbështetur nga Kisha e fuqishme Ortodokse Serbe në fillim të këtij muaji, Mali i Zi po pret një propozim për një qeveri të re, e cila është vonuar nga grindjet e partive politike.