Në masakrën në Dubravë kanë marrë pjesë disa serbë që kishin kryer vrasjen e disa të rinjve në kafiterinë “Panda” në Pejë.
Pjesëmarrës në të dyja aktet kriminale përmenden emrat e Sinisha Petriqit që është drejtues i klanit “Zenica” dhe lideri i klanit “Shkalar”, Radomir “Boban” Baçoviq.
Media malazeze M-Portal përmend deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili pati deklaruar se ky krim nuk është bërë nga shqiptarët, siç është pretenduar me vite të tëra.
“E vërteta e rastit ‘Panda’ në Pejë është bërë që të mos ketë hetime. Nuk do të gjesh një letër të shtypur me urdhër këtij e atij personi për të kryer një vrasje apo një raport për punën e bërë, nuk bëhet kështu, bëhet fjalë për udhëzime që jepen në katër minuta. Shërbimi nuk lë gjurmë të shkruara për atë që nuk dëshiron të dihet dhe do të shkatërrojë materiale që tregojnë për të”, thuhet në burimin e dhënë nga shërbimet e sigurisë për këtë medie.
Ky burim pohon se kështu ka ndodhur me rastin e masakrës në “Panda” më 14 dhjetor 1998, duke shtuar se hetimi zyrtar në vendngjarje kishte zgjatur vetëm pak ditë.
Në një deklaratë të bërë në vitin 2018, ish-shefi i MPB-së në Pejë, Boro Vllahoviq ishte shprehur se për rastin “Panda” është përgjegjës sigurimi i shtetit.
“Ne nga sigurimi publik punuam intensivisht për zbulimin e autorëve, por kur pas disa ditësh, pjesëtarët e sigurimit të shtetit arrestuan një grup të shqiptarëve që thuhej se kishin organizuar krimin në ‘Panda’, siguria publike ndaloi së punuari për rastin. Kur sigurimi i shtetit merr përsipër diçka dhe shpall se rasti është zbardhur, nuk është praktikë që sigurimi publik të vazhdojë të punojë për të njëjtin rast”, pati thënë Vllahoviq.
Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq që ka qenë në Pejë më 19 e 20 dhjetor 1998 dhe kishte regjistruar dëshmi për masakrën në “Panda”.
“Shqiptarët më siguruan se krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga komuniteti shqiptar. Një nga provat e para tregon faktin se policia dhe ushtria filluan kërkimet për autorët më 17 dhjetor, pra tri ditë pas rastit”, pati thënë Kandiq.