Serbia gati e ‘shpalli’ tradhtar Branimir Stojanovic, guxoi të dalë kundër Listës Serbe në Graçanicë

Serbia gati e ‘shpalli’ tradhtar Branimir Stojanovic, guxoi të dalë kundër Listës Serbe në Graçanicë

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë e Metohi’ e Serbisë, Petar Petkovic, i mjaftoi vetëm fjala “tradhtar” kur komentoi kandidaturën e Branimir Stojanovic për kryetar në Graçanicë në zgjedhjet lokale të tetorit në Kosovë. Stojanovic vendosi që të mos dëgjoj shefat në Listën Serbe dhe ata në Beograd që e akuzojnë për “mendjemadhësi dhe mungesë të llogaridhënies”.


Petkovic foli zi e terr për gjendjen e serbëve në Kosovë dhe mbështetja për një kandidat jashtë Listës Serbe është mbështetje e drejtpërdrejtë e armiqve të Serbisë. Kjo jo që është një ndërhyrje e shkelje e rëndë e procesit zgjedhor dhe vullnetit të qytetarëve, mund të thuhet se është kërcënim direkt për kandidatin pasi vetëm fjala tradhtar mungoi, që u nënkuptua siç u nënkuptua edhe kërcënimi.

Petkovic tha në njoftimin e zyrës se këto zgjedhje janë edhe një mundësi që populli serb në “krahinën jugore serbe edhe një herë të dëshmoj se si me forca të bashkuara mbrohen interesat kombëtar, dhe si të bashkuar nën bajrakun e Listës Serbe do të jenë diga ndaj atyre që duan të shkatërrojnë unitetin serb”.

“Kandidatura e Branimir Stojanovic është e një oportunizëm politik që del kundër Listës Serbe në zgjedhjet lokale në Graçanicë, dhe mbështetje e drejtpërdrejtë e armiqve të Serbisë, e atyre që punojnë kundër unitetit serb në Kosovë e Metohi. Për këtë arsye e theksojmë edhe një herë që vetëm kandidatët e Listës Serbe kanë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe shtetit të Serbisë. Disa herë serbët në Kosovë e Metohi e kanë përjetuar në lëkurën e tyre sa shtrenjtë na ka kushtuar kur nuk ishin të bashkuar. Për këtë arsye Lista Serbe sot është kulla e unitetit serb në krahinën tonë jugore, shtylla jonë kombëtare dhe garancia e mbetjes dhe mbijetesës në krahinë” tha Petkovic.

Zëvendës kryetari i Listës Serbe Igor Simic përcjelli mesazhin që i kërkuan shefat në Beograd se kandidatura e pavarur e Branislav Stojanovic është “një shprehje e mendjemadhësisë dhe ambicies personale”.

Stojanovic që dikur ishte zyrtar i lartë i Listës Serbe e ka ditur dhe e di si shkojnë gjërat në Listën Serbe dhe që ato merren në këshillim me Beogradin, tha Igor Simic që shtoi edhe një paralajmërim.

“Por njejtë mirë e di Stojanovic që kjo që po bën është kundër interesave të popullit serb në Graçanicë, dhe se me veprimtarinë e tij po i jep mbështetje armiqve tanë” theksoi Simic.

Related Articles