Serbia me zero investim në shkollat shqipe

Serbia me zero investim në shkollat shqipe

Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në tri komunat në Luginë pritet të fillojë bashkimi i shkollave. E për përzgjedhjen e institucioneve arsimore, kriter do të jetë infrastruktura e objekteve. Serbia ka investuar rreth 5,3 milionë euro në shkollat serbe, por jo edhe në ato shqipe.

Në shkollat ku vijojnë mësimin nxënësit shqiptar, pavarësisht gjendjes së rëndë, shteti serb nuk financon rikonstruktimet e objekteve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se për këtë gjendje do t’i drejtohet me letër edhe kryeministrit Albin Kurti.

Ai në intervistë për KP, thotë se kanë mirëpritur ndarjen e 254 mijë eurove për Luginën e Preshevës për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2023-2024.

Lutfiu shton se në dy vitet e kaluara, nuk kanë pasur pengesa në realizimin e atij projekti.

Megjithatë, ka tekste që nuk lejohen nga Serbia për furnizim të nxënësve shqiptarë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thekson se për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në Serbi pritet bashkimi i shkollave.

Lutfiu paralajmëron që do t’i dërgojë letër edhe kryeministrit Kurti për renovimin e shkollave shqipe.

Në anën tjetër, ai flet edhe për ndaljen e qytetarëve dhe personaliteteve politike të Luginës, në pikat kufitare me Serbinë. Ai shprehet se qytetarëve po tentohet t’i futet frika me përndjekjet që po u bëhen në kalimet kufitare.

Ditë më parë, Ardita Sinani e cila është këshilltare politike e kryeministrit, Albin Kurti, ka thënë se është ndaluar nga policia serbe për mbi një orë në vendkalimin kufitar Muçibabë. Ajo ka shtuar se nuk ka marrë asnjë sqarim për arsyen e ndalimit ndërsa ka theksuar se ky rast do të jetë shtyje më e madhe për të folur me zë të lartë për diskriminim shtetëror serb ndaj shqiptarëve.

Related Articles