Qeveria e Serbisë ka miratuar një rregullore për zgjatjen e periudhës së vlefshmërisë së afisheve të regjistrimit për automjetet me targa serbe në Kosovë.
Siç u tha, ato do të jenë të vlefshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në Dekret, ndër të tjera, theksohej se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk do të lëshojë as targa krejtësisht të reja, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme në kuadër të dialogut.
Rregullorja hyn në fuqi më 7 dhjetor, raporton evropaelire në gjuhën serbe.
Me atë dokument, Qeveria e Serbisë zyrtarizoi marrëveshjen e nëntorit nga Brukseli, e cila i referohet përfundimit të kontestit afatgjatë për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar më 23 nëntor se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat.
Sipas asaj marrëveshjeje, Kosova mori përsipër të ndërpresë aktivitetet e mëtutjeshme lidhur me riregjistrimin e veturave dhe se Serbia nuk lëshon më targa për qytetet e Kosovës.
Targat e lëshuara nga autoritetet serbe konsiderohen të paligjshme nga Prishtina, por ato deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Në fillim të nëntorit, përfaqësues të komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në veri për shkak të targave.
Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia filluan negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e BE-së.