Artisti 25-vjeçar shtetas i Serbisë, me prindër nga Kosova, Kemil Bekteshi shpesh në veprat e tij artistike trajton situatën gjeopolitike në Ballkan.
Një nga veprat e tij është edhe “Gjaku i Vjetër”, ngjarje që u zhvillua në Institutin për Transfuzionin e Gjakut të Serbisë, në të cilën vepër ai vë në pikëpyetje marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë jam me origjinë nga Beogradi. Prindërit e mi kanë emigruar nga Kosova në Serbi dhe unë kam lindur atje. Në Beograd ndoqa shkollën fillore dhe arsimin bazë. Unë kam nënshtetësi serbe. Mirëpo, prindërit e mi janë me origjinë nga Kosova, që do të thotë se në venat e mia rrjedh gjak i pastër kosovar”, ka thënë Bekteshi.
Për realizimin e kësaj vepre, ai është motivuar nga një ngjarje personale, shkruan Balkans.aljazeera.
Bekteshi vendosi që për herë të parë në jetën e tij të dhuronte gjak, e këtë e bëri me letërnjoftim të Kosovës, për të parë nëse Serbia do ta pranonte atë, por ata e refuzuan një gjë të tillë.
Shfaqja e dhurimit të gjakut, filloi më 7 shtator të vitit 2021 dhe deri më tani është realizuar dy herë, ku në të dyja rastet gjaku i Bekteshit është refuzuar.
Ai u shpreh se herën e parë u trondit, ndërkaq për të dytën nuk dinte më se çfarë të mendonte.
“Herën e parë u trondita, nuk e mendoja se gjaku do të refuzohej, ndërkaq herën e dytë e dija se çfarë përfundimi më priste. Pas performancës më lindi një pyetje e re. Më interesonte nëse do të pranohej gjaku, nëse dikush do të duhej ta merrte, a do të duhej të theksohej se është gjak i Kosovës”, ka shtuar Bekteshi.