Serbia nuk e respekton Marrëveshjen e Uashingtonit, lobon kundër njohjes së Kosovës

Serbia nuk e respekton Marrëveshjen e Uashingtonit, lobon kundër njohjes së Kosovës

Serbia po e vazhdon fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 të nënshkruar mes dy shteteve.

Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq ka vizituar kryeqytetin e Zimbabves ku ka takuar homologun e këtij shteti i cili u shpreh se vazhdojnë ta përkrahin Serbinë dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët Selakoviq dhe Shava në kryeqytetin e Zimbabves, Harare, ministri nikoqir u shpreh se shteti i tij vazhdon ta përkrahë Serbinë në çështjen e mosnjohje së Kosovës.

“Zimbabve ishte me Serbinë kur integriteti territorial i Serbisë u sulmua nga shpallja e pavarësisë së “njëanshme” të Kosovës. Ne e dimë që historikisht dhe kulturërisht Kosova “është pjesë e Serbisë”, dhe kur ne e mbështetëm Serbinë në OKB, ne e bëmë atë sepse i kemi njohur ato fakte, ” tha Shava.

“Ne po e bëjmë këtë sepse ne besojmë në faktet dhe të vërtetën, dhe këto janë arsyet pse ne do të jemi gjithmonë me Serbinë në forume ndërkombëtare,” tha ministri i Zimbabves.

Serbia dhe Zimbabve kanë shkëmbyer mes njëra-tjetrës vaksina përkatësisht gjëra ushqimore.

Serbia i ka dhuruar këtij shteti afrikan 30 mijë vaksina kundër koronavirusit, teksa 65 ton me gjëra ushqimore, siç janë, vaji i lulediellit, sheqeri e pasta kanë zbarkuar në Serbi.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja ishte nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja e Uashingtonit parashihte që brenda një viti, Kosova të mos lobonte për njohje të reja e as të aplikonte për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës. Prishtina zyrtare është ankuar që Beogradi nuk e ka ndalur fushatën e saj kundër Kosovës.

Marrëveshja, ndër të tjera,parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore. Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Related Articles