Mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova ka filluar hapat e parë drejtë aplikimit për anëtarësim në Interpol dhe po ashtu se kryeministri Kurti nga Brukseli iu ka bërë thirrje pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta njohin Kosovën.
Si rezultat i këtyre veprimeve të Kosovës, Serbia ka bërë të ditur se i ka ‘garantuar’ pesë çnjohje në rast se Kosova ndërmerr ndonjë veprim drejt aplikimit në ndonjërën nga organizatat ndërkombëtare. Ky është edhe kërcënimi direkt që i bëhet Kosovës nga ana e Serbisë në prag të dialogut mes këtyre dy shteteve.
Këto ‘ndërmarrje’ të Kosovës nga ana e Serbisë po shihen si veprime të anshme, madje duke mos respektuar as marrëveshjen e Uashingtonit dhe duke e bërë të pakuptimtë. Këto veprime sipas shtetit serb po shihen të sinkronizuara mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se kinse Kosova ka mashtruar Serbinë dhe BE-në prej shumë vitesh, madje tani sipas tij ka filluar ta mashtroj edhe SHBA-në sa i përket stopimit të fushatës për njohje të shtetit.
“Prishtina refuzon të zbatojë detyrimin për të formuar AKS (Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë), dhe tani po shkel Marrëveshjen e Uashingtonit, në pjesën që i referohet moratoriumit një vjeçar mbi aktivitetet në lidhje me njohjen e të ashtuquajturës Kosova. Çfarë do të na detyronte tani që të mos vazhdojmë fushatën për tërheqjen e njohjes së Kosovës? – ka deklaruar Daçiq për Novosti.
Daçiç çdo lëvizje të kryeministrit dhe presidentes së Kosovës po mundohet ta vë në shënjestër në mënyrë që të arsyetoj rinisjen e fushatës kundër ç‘njohjeve të Kosovës.
Nga ana tjetër edhe analistët politik në Serbi kanë vlerësuar se vendi i tyre është shtet ‘serioz që i respekton të gjitha marrëveshjet e nënshkruara’.
Kurse drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, Petar Petkoviç, ka deklaruar se lobimi i Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e minon marrëveshjen e Uashingtonit.
Sipas mediave serbe, Kosova për herë të fundit u përpoq të hynte në Interpol në vitin 2019, por tërhoqi aplikimin e saj të anëtarësimit pak para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, sepse ata e kuptuan se do të përjetonin një debakël në votim.
Ato thonë se në më pak se katër vjet Kosovën e ka njohur vetëm shteti i Izraelit. Kurse si kundërpeshë e kësaj njohje janë 18 shtete që kanë tërhequr njohjen e Kosovës si rezultat i lobimit të Serbisë për këtë periudhë kohore.
Nga ana tjetër Kosova pas njohjes nga Izraeli nuk ka arritur të sigurojë ende ndonjë njohje tjetër dhe se pas ndërrimit të pushtetit të brendshëm po përballet me emërime dhe shkarkime të ambasadorëve të saj nëpër vendet e ndryshme të Evropës dhe botës.