Serbia pranoi të furnizonte Ukrainën me armë

Serbia pranoi të furnizonte Ukrainën me armë
Një dokument konfidencial i Pentagonit thotë se Serbia ka pranuar të dorëzojë armë në Kiev ose tashmë i ka dërguar ato, shkruan Reuters.

I titulluar “Evropa – Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake. Tabela tregon se Serbia ka refuzuar të ofrojë trajnime për forcat ukrainase, por është zotuar të dërgojë “ndihma vdekjeprurëse” ose e ka dorëzuar tashmë atë. Gjithashtu, thuhet se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për të furnizuar Ukrainën me armë në të ardhmen.

Dokumenti mban datën 2 mars dhe në të është vulosur vula e zyrës së Shtabit të Përbashkët. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumentit. Zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ambasada e Ukrainës nuk kanë komentuar ende.

Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters në lidhje me përmendjen e Serbisë në dokument, por më parë kishte refuzuar të komentojë mbi dokumentet e zbuluara. Qeveria e Vuçiqit ka shprehur neutralitet në luftën në Ukrainë, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të vendit me Rusinë.

“Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për të dorëzuar armë në Ukrainë”, tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore në Fondacionin Jamestown, një institut i politikës së jashtme. 

Related Articles