Kombet e Bashkuara kanë miratuar rezolutën për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës.
Miratimi i rezolutës ka marrë vëmendjen e disa mediave ndërkombëtare si Associated Press dhe Reuters.
Dy agjencitë e njohura ndërkombëtare kanë shkruar se miratimi i rezolutës është bërë në kohën e kundërshtimit të madh nga Serbia dhe serbët e Bosnjës.
“Vendim i kundërshtuar me të madhe nga serbët që frikësohen se tani do të cilësohen si përkrahës të gjenocidit dhe vrasjeve në masë”, ka shkruar Associated Press.
Për kundërshtimin e serbëve ka raportuar edhe Reutersi.
Masakra e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në 1995, pasi zona e sigurt e OKB-së e Srebrenicës u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës, ndodhi gjatë luftërave ballkanike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe është cilësuar si mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.