Rezoluta që njeh gjenocidin në Srebrenicë, Dodik thotë se serbët do të shkëputen nga Bosnja

Rezoluta që njeh gjenocidin në Srebrenicë, Dodik thotë se serbët do të shkëputen nga Bosnja

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar sot pro rezolutës që njeh gjenocidin serb në Srebrenicë.

Presidenti i entitetit të Bosnje-Hercegovinë, Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik tha se Rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dështoi, sepse projekt-rezoluta nuk arriti të merrte as shumicën.

“Afro 110 vende nuk votuan, ishin kundër ose abstenuan. Kjo është një rezolutë e dështuar dhe kjo do të thotë se OKB-ja nuk e mbështeti atë. Plani i tyre për të imponuar gjenocid dhe s’kualifikim moral mbi serbët nuk pati sukses”, tha ai.

Dodik deklaroi se amerikanët do të thonë se mjaftojnë 84 vota “për”, por i pyeti se “në çfarë parimi mjafton kjo”, raporton N1.

“A është sipas parimit demokratik? Epo, në Perëndim na mësohet se shumica demokratike është ajo që është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm. Ata nuk e kanë atë. Pse gënjejnë”, pyeti politikani serb i sanksionuar nga SHBA-ja.

Ai shtoi se “problemi është qëllimi i tyre për të akuzuar serbët se janë një komb gjenocidal.

Pas kësaj, qeveria e RS ngriti çështjen e shkëputjes paqësore. Pas kësaj nuk kemi pse të qëndrojmë bashkë”, tha Dodik.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një rezolutë për Srebrenicën, duke shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila duhet të festohet çdo vit. Rezoluta u miratua me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Kujtojmë se 8372 persona janë vrarë vetëm gjatë disa ditëve të korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë. Numri i viktimave në Bosnje ka qenë shumë më i madh – mbi 100 mijë të vrarë.

Ndryshe, krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007.

Related Articles