Kampionati Evropian në Esports, që do të zhvillohet nga 10 deri më 14 korrik në Prishtinë, do të mbahet pa pjesëmarrjen e ekipit të Serbisë.
Ky kampionat për lojërat e njohura elektronike “Counter Strike 2” dhe “Dota 2” do të organizohet në palestrën “1 Tetori”, me pjesëmarrjen e 25 shteteve – megjithatë, Serbia është tërhequr në momentet e fundit.
Kryetari i Federatës Esports Kosova, Altin Preniqi, theksoi rëndësinë e këtij organizimi për vendin tonë, duke e cilësuar ngjarjen si historike.
“Për pesë ditë Kosova do të jetë mikpritëse për Esports. Ky është një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi për të treguar vlerat tona. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë 25 shtete”, deklaroi Preniqi në një konferencë për media të martën.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, konfirmoi tërheqjen e Serbisë dhe theksoi se Kosova ka garantuar kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit.
“Nga 25 shtete, sot i kemi vetëm 24 për shkak të tërheqjes së Serbisë nga kampionati në momentet e fundit. Kosova ka garantuar mjedis të barabartë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Është për të ardhur keq që institucionet e Serbisë nuk lejojnë që sportistët të marrin pjesë. Ky ka qenë vendim i politikave shtetërore të Serbisë”, u shpreh Osmani.
Në konferencë morën pjesë edhe presidenti i Federatës Evropiane të Esports (EEF), Karol Cagan, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esporteve (IESF), Boban Totovski, si dhe lojtari i Kosovës, Flatron Halimi.
Ceremonia hapëse e Evropianit do të mbahet të mërkurën nga ora 12:00 në palestrën “1 Tetori”.