Sërish pa rezultate takimi trepalësh në Bruksel

Sërish pa rezultate takimi trepalësh në Bruksel

Në orët e vona të së martës u zhvillua takimi trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, i cili përfundoi pa ndonjë pajtim ose rezultat konkret, raporton Gazeta “Enigma”.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira”, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Një nga çështjet kyçe është pranimi i draftit të Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja. Beogradi është gati ta pranojë atë. Drafti është vendimtar dhe është hapi kryesor në drejtim të themelimit të Asociacionit”, tha Petkoviq.

Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin fillimisht, para se t’i takonte ata në një takim trepalësh në fund. Takimet e së martës në përgjithësi zgjatën rreth 6 orë.

Bislimi tha se gjatë periudhës së verës nuk do të ketë më takime në Bruksel. Ai bëri të ditur se deri më 18 korrik palët do të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të Marrëveshjes. Pas këtyre komenteve, sipas tij, pala evropiane do ta nxjerrë një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk u zbatua.

Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por pa sukses.

Related Articles